Një studim i fundit ka zbuluar praninë e substancave të rrezikshme në organizmin e peshkaqenëve në Bahamas, duke ngritur shqetësime për ndotjen e ujërave detare.
Analizat e kryera mbi 85 peshkaqenë nga pesë specie të ndryshme kanë treguar se 28 prej tyre rezultojnë pozitivë ndaj kokainës. Përveç kësaj, në gjakun e tyre janë identifikuar edhe substanca si kafeina dhe medikamente të zakonshme si Paracetamol dhe Voltaren.
Sipas studiuesve, peshkaqenët janë kapur në zona të frekuentuara nga turistët dhe kroçierat, çka sugjeron se ndotja mund të vijë nga aktivitetet njerëzore. Shkarkimi i mbetjeve nga anijet dhe mjetet e vogla lundruese pa trajtim paraprak konsiderohet një nga burimet kryesore të ndotjes.
Gjithashtu, nuk përjashtohet mundësia që substancat narkotike të kenë përfunduar në det si pasojë e aktiviteteve të trafikut të drogës.
Ekspertët paralajmërojnë se, megjithëse ujërat e Bahamas njihen për pastërtinë e tyre, ndotja është tashmë e pranishme dhe pasojat për jetën detare mbeten ende të paqarta.









