Talenti kosovar, Fisnik Asllani, po tërheq vëmendjen e klubeve më të mëdha europiane pas një sezoni mbresëlënës me TSG Hoffenheim.
Emri i tij është lidhur së fundmi edhe me interesimin konkret të FC Barcelona, ndërsa vetë lojtari ka folur hapur për ambiciet e tij në një intervistë për Sky Sport.
Asllani nuk i fshehu aspiratat, duke e bërë të qartë se synimi i tij është të luajë në UEFA Champions League.
“Champions League është ëndrra e çdo futbollisti. Është një ndjenjë e jashtëzakonshme dhe më dridhet trupi vetëm kur e dëgjoj himnin”, u shpreh ai, duke zbuluar lidhjen emocionale me kompeticionin më prestigjioz për klube në Europë.
Ai shtoi se e ndjek rregullisht këtë turne me familjen dhe se që nga fëmijëria ka ëndërruar të jetë pjesë e tij, një deklaratë që shihet si sinjal për një hap të mundshëm drejt një klubi më të madh.
Ndërkohë, agjenti i tij ka konfirmuar se interesimi i Barcelonës është real dhe se kontaktet mes palëve kanë nisur, duke shtuar edhe më shumë zërat për një transferim të mundshëm në merkaton e verës.









