Në përfundim të mandatit të saj, ish-presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka marrë një letër përshëndetëse nga presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ku vlerësohet bashkëpunimi mes dy vendeve dhe roli i saj në skenën ndërkombëtare.
Në mesazhin e tij, Trump thekson arritjet e përbashkëta gjatë periudhës së bashkëpunimit, duke vënë në dukje veçanërisht angazhimin në nismat për paqe dhe stabilitet global. Ai nënvizon se pjesëmarrja e Kosovës në iniciativa ndërkombëtare për paqen përbën një hap të rëndësishëm drejt forcimit të sigurisë dhe promovimit të lirisë në nivel global.
Presidenti amerikan e cilëson Osmanin si një partnere të besueshme dhe një mike të afërt të Shteteve të Bashkuara, duke theksuar se kontributi i saj ka lënë një gjurmë të rëndësishme jo vetëm për Kosovën, por edhe për rajonin e Ballkanit dhe më gjerë në Evropë.
“Ke qenë gjithmonë një mike dhe partnere e besueshme e SHBA-së dhe mezi pres vazhdimin e bashkëpunimit tonë në vitet e ardhshme,” thuhet në mesazhin e Trump, i cili shpreh optimizëm për marrëdhëniet e ardhshme mes dy vendeve.

Nga ana e saj, Vjosa Osmani ka shprehur mirënjohjen për vlerësimin, duke theksuar rëndësinë e marrëdhënieve të forta mes Kosovës dhe SHBA-së. Ajo garantoi se kjo lidhje strategjike do të vazhdojë të forcohet edhe në të ardhmen.
Osmani nënvizoi se partneriteti me SHBA-në mbetet një shtyllë kyçe për Kosovën, duke e konsideruar bashkëpunimin me Uashingtonin si thelbësor për zhvillimin dhe sigurinë e vendit.









