Meloni-Rama në Romë – Aleancë e fortë kundër emigracionit të paligjshëm dhe fokus te mbrojtja

Kryeministrja e Italisë, Giorgia Meloni, ka reaguar publikisht pas takimit të zhvilluar në Romë me kryeministrin shqiptar Edi Rama, duke vënë në dukje forcimin e mëtejshëm të bashkëpunimit mes dy vendeve.

Në një postim në rrjetin social X, Meloni theksoi se në qendër të diskutimeve kanë qenë çështje kyçe si siguria, mbrojtja dhe lufta kundër emigracionit të paligjshëm – tema që mbeten prioritare për të dyja qeveritë.

Takimi u zhvillua në selinë e qeverisë italiane, Palazzo Chigi, rreth pesë muaj pas Samitit Ndërqeveritar të mbajtur në nëntor, dhe shërbeu për të bërë një bilanc të progresit të arritur në partneritetin strategjik mes Shqipërisë dhe Italisë.

Sipas Melonit, bashkëpunimi mes dy vendeve është forcuar ndjeshëm në fusha me interes të përbashkët, duke përfshirë lidhshmërinë infrastrukturore, sektorin e mbrojtjes dhe koordinimin në përballjen me flukset e emigracionit të parregullt.

Kjo vizitë konfirmon rolin gjithnjë e më të rëndësishëm të marrëdhënieve Shqipëri–Itali në kontekstin rajonal dhe europian, veçanërisht në sfidat që lidhen me sigurinë dhe menaxhimin e migracionit.