Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, pritet që më 4 prill 2026 t’ia dorëzojë përkohësisht detyrën kryetares së Kuvendit, Albulena Haxhiu, për shkak të moszgjedhjes së një kreu të ri të shtetit.
Ceremonia zyrtare e dorëzim-pranimit do të zhvillohet në ambientet e Presidencës, duke nisur nga ora 16:00.
Bazuar në Kushtetutë, në rast se nuk arrihet zgjedhja e presidentit brenda afatit të përcaktuar, kompetencat kalojnë përkohësisht te kryetarja e Kuvendit. Megjithatë, kjo detyrë nuk mund të ushtrohet për më shumë se gjashtë muaj.
Procesi për zgjedhjen e presidentit ka ngecur për shkak të mungesës së konsensusit politik. Kandidaturat e propozuara nga shumica, përfshirë Glauk Konjufca dhe Fatmire Kollçaku-Mullhaxha, nuk arritën të hidhen në votim për shkak të mungesës së kuorumit në seancën e 5 marsit.
Sipas procedurave kushtetuese, presidenti zgjidhet me dy të tretat e votave në dy raundet e para, ndërsa në raundin e tretë mjaftojnë 61 vota, por me kusht që të jenë të pranishëm të paktën 80 deputetë në sallë.
Ndërkohë, Gjykata Kushtetuese e Kosovës i ka dhënë Kuvendit një afat prej 34 ditësh për të zgjidhur situatën. Nëse kjo nuk ndodh, vendi do të shkojë në zgjedhje të parakohshme, të cilat duhet të organizohen brenda 45 ditëve.









