Presidenti i Malit të Zi, Jakov Milatoviç, ka riafirmuar ambicien e vendit për t’u bërë pjesë e plotë e Bashkimit Evropian deri në vitin 2028, duke hedhur poshtë çdo ide për forma të ndërmjetme integrimi që nuk përfshijnë anëtarësimin e plotë.
Gjatë një vizite zyrtare në Berlin, ku zhvilloi takime me ligjvënës të Bundestag dhe mbajti një fjalim në Komisionin për Çështjet Evropiane, Milatoviç theksoi se Podgorica po ndjek modelin tradicional të zgjerimit, të njëjtin që kanë ndjekur edhe vendet e tjera që janë bërë pjesë e BE-së.
Ai bëri të ditur se Mali i Zi synon të përmbyllë kapitujt e negociatave brenda vitit 2026 ose në fillim të vitit 2027, duke lënë më pas kohën e nevojshme për ratifikimin e anëtarësimit nga parlamentet e 27 vendeve anëtare të unionit.
Në fokus të deklaratës së tij ishte edhe propozimi i fundit i bërë nga kryeministri shqiptar Edi Rama dhe presidenti serb Aleksandar Vučić, i cili parashikon integrim të pjesshëm në strukturat evropiane – si hyrja në tregun e përbashkët dhe zonën Shengen – pa status të plotë anëtarësimi.
Milatoviç e cilësoi këtë ide si të kuptueshme nga këndvështrimi i autorëve, por theksoi qartë se Mali i Zi nuk do të ndjekë këtë rrugë:
“Ne po negociojmë për t’u bërë një shtet anëtar i plotë i Bashkimit Evropian,” deklaroi ai.
Presidenti malazez pranoi gjithashtu se mbështetja nga vende kyçe si Gjermania dhe Franca mbetet një sfidë, por nënvizoi se diplomacia e vendit të tij është angazhuar intensivisht jo vetëm me qeveritë, por edhe me parlamentet dhe aktorët politikë në këto shtete.
Ai zbuloi se gjatë vizitës në Francë ka zhvilluar takime edhe me deputetë dhe ka përballuar diskutime të vështira mbi procesin e zgjerimit, ndërsa shprehu bindjen se presidenti Emmanuel Macron është i hapur ndaj pranimit të një anëtari të ri në BE.
Në përfundim, Milatoviç theksoi se anëtarësimi i Malit të Zi do të kishte një efekt më të gjerë rajonal, duke dhënë një sinjal të fortë për të gjitha vendet kandidate se procesi i zgjerimit të Bashkimit Evropian mbetet i gjallë dhe i arritshëm.









