Tensionet në kufirin mes Izraelit dhe Libanit janë rindezur, pasi ushtria izraelite ka njoftuar se grupi Hezbollah ka lëshuar raketa drejt trupave të saj të dislokuara në jug të Libanit, duke shkelur marrëveshjen e armëpushimit.
Sipas Forcave të Mbrojtjes së Izraelit (IDF), në përgjigje të sulmit, janë goditur pozicionet ku ndodheshin lëshuesit e raketave të Hezbollahut. Incidenti vjen në një moment kur armëpushimi mes palëve po konsiderohet gjithnjë e më i brishtë dhe pritet të skadojë brenda pak ditësh.
Në një zhvillim të veçantë, pothuajse në të njëjtën kohë, Izraeli ka raportuar edhe kapjen e një droni të ardhur nga territori libanez, i cili shkaktoi aktivizimin e sirenave alarmuese në disa zona kufitare.
Përplasjet e përsëritura në zonë po e tensionojnë më tej situatën, ndërsa ushtria izraelite deklaron se ka shënjestruar vazhdimisht individë dhe objektiva që i konsideron kërcënim pranë vijës së saj të mbrojtjes në jug të Libanit. Sipas saj, këto veprime dhe kontrolli i disa fshatrave në zonë nuk përfshihen në kushtet e marrëveshjes së armëpushimit.









