Bashkimi Evropian nuk ka arritur dakordësi për vendosjen e sanksioneve të reja ndaj Izraelit, pasi propozimi i hedhur në tryezë në takimin e ministrave të Jashtëm në Luksemburg nuk mori mbështetjen e nevojshme nga vendet anëtare, bëri të ditur shefja e politikës së jashtme të BE-së, Kaja Kallas.
Disa shtete, mes tyre Spanja, Belgjika dhe Irlanda, kërkuan masa më të ashpra ndaj Izraelit, duke rikthyer edhe ide të mëparshme për kufizimin e përfitimeve tregtare. Ndërkohë, Gjermania u pozicionua kundër këtyre masave, me ministrin e Jashtëm Johann Wadephul që i cilësoi ato si të papërshtatshme, megjithëse theksoi nevojën për adresimin e shqetësimeve lidhur me dhunën e kolonëve në Bregun Perëndimor.
Nga ana tjetër, vende si Spanja kanë kritikuar ashpër veprimet e Izraelit në Gaza, Bregun Perëndimor, Liban dhe Iran, duke kërkuar reagim më të fortë nga BE-ja. Ministri i Jashtëm spanjoll Jose Manuel Albares paralajmëroi se mungesa e veprimit rrezikon besueshmërinë e Bashkimit Evropian.
Në përpjekje për kompromis, Franca dhe Suedia propozuan kufizimin e importeve nga vendbanimet izraelite në territoret palestineze, por edhe kjo nismë nuk siguroi mbështetjen e mjaftueshme.
Sipas rregullave të BE-së, vendimet tregtare kërkojnë shumicë të cilësuar, ndërsa pezullimi i plotë i marrëveshjes së partneritetit me Izraelin do të kërkonte unanimitet mes 27 shteteve anëtare.









