Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, ka deklaruar se nuk ekziston asnjë vendim zyrtar për përjashtimin e Iranit nga Kupa e Botës që do të zhvillohet këtë verë në SHBA.
Gjatë një konference për shtyp në Shtëpinë e Bardhë, ai tha se asnjë zyrtar amerikan nuk u ka komunikuar sportistëve iranianë ndonjë ndalim për pjesëmarrje në turne, duke theksuar se çdo vendim i tillë do të varej nga vetë Irani.
Rubio hodhi poshtë gjithashtu zërat për mundësinë që Italia të zëvendësojë Iranin në kompeticion, duke sqaruar se nuk ka asnjë plan apo vendim në këtë drejtim.
Megjithatë, ai theksoi se shqetësimi kryesor i autoriteteve amerikane lidhet me procesin e hyrjes në vend, veçanërisht për individë që mund të jenë të lidhur me struktura të Gardës Revolucionare Islamike dhe që mund të paraqiten me role të ndryshme në delegacionin iranian.









