Incidenti në darkën e Trump me gazetarët – reagon Kallas: Dhuna politike nuk ka vend në demokraci

Shefja e politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Kaja Kallas, ka reaguar pas incidentit me të shtëna gjatë darkës së Shoqatës së Korrespondentëve të Shtëpisë së Bardhë në Uashington.

Përmes një postimi në rrjetin “X”, Kallas u shpreh e lehtësuar që të gjithë pjesëmarrësit, përfshirë Presidentin amerikan Donald Trump, janë të sigurt pas ngjarjes. Ajo theksoi se “dhuna politike nuk ka vend në një demokraci” dhe shtoi se një aktivitet që synon të nderojë shtypin e lirë nuk duhet të kthehet kurrë në skenë frike.

Ajo gjithashtu i uroi shërim të shpejtë agjentit të plagosur gjatë incidentit.

Ngjarja ndodhi gjatë fillimit të darkës në hotelin Washington Hilton, kur u dëgjuan të shtëna dhe pjesëmarrësit u hodhën përtokë për t’u mbrojtur. Presidenti Trump dhe Zonja e Parë Melania Trump u evakuuan menjëherë nga Shërbimi Sekret, ndërsa forcat e armatosura ndërhynë për të siguruar ambientin.

Autoritetet kanë arrestuar të dyshuarin dhe po vijojnë hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes.