Hiqen patrullat policore nga rrugët – kryepolici Hita urdhëron: Ndalohen kontrollet “për verifikim”

Vetëm pak ditë pasi mori detyrën në krye të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit, Skënder Hita ka nxjerrë urdhrat e parë që lidhen me mënyrën e funksionimit të Policisë Rrugore.

Përmes një komunikimi të brendshëm, mësohet se drejtori i ri ka kërkuar ndërprerjen e praktikës së ndalimit të automjeteve me motivacionin “për verifikim”, duke e konsideruar atë si të pajustifikuar në mungesë të një baze të qartë ligjore.

Ky vendim vjen pas ankesave të shumta nga qytetarët, të cilët kanë ngritur shqetësime për ndalime të shpeshta dhe vonesa gjatë lëvizjes në rrugët kombëtare dhe urbane.

Sipas udhëzimeve të reja, patrullat policore do të reduktohen në rrugë dhe kontrollet e mjeteve nuk do të kryhen më në mënyrë rutinë. Në rastet kur do të jetë e nevojshme ndërhyrja, do të hartohen plane të qarta kontrolli dhe në krye të operacioneve do të jenë drejtues të strukturave të Policisë Rrugore.

Urdhri parashikon që këto masa të zbatohen menjëherë, me synim rritjen e transparencës, shmangien e abuzimeve dhe përmirësimin e marrëdhënies së policisë me qytetarët.