SHBA tërheq J.D.Vance nga negociatat me Iranin – Trump: Bëhet për arsye sigurie…

Presidenti i SHBA, Donald Trump, ka bërë të ditur se zëvendëspresidenti J.D. Vance nuk do të drejtojë delegacionin amerikan në raundin e ardhshëm të bisedimeve me Iranin në Pakistan, për shkak të shqetësimeve të sigurisë.

Në një intervistë për ABC News, Trump theksoi se vendimi lidhet ekskluzivisht me çështje sigurie, duke vlerësuar njëkohësisht figurën e Vance. “Është vetëm për çështje sigurie. J.D. është i shkëlqyer”, u shpreh ai, duke shtuar se Shërbimi Sekret i Shteteve të Bashkuara nuk kishte mundur të garantonte në kohë masat e nevojshme për udhëtimin drejt Islamabadit.

Megjithatë, në një reagim të mëvonshëm, White House la të hapur mundësinë që Vance të marrë pjesë në bisedime, pa sqaruar rolin e tij përfundimtar në delegacion.

Më herët gjatë ditës, burime zyrtare kishin sinjalizuar se ai mund të ishte në krye të negociatave, ndërsa në raundin e mëparshëm në Islamabad kishte qenë i shoqëruar nga Steve Witkoff dhe Jared Kushner.

Nga ana tjetër, Irani nuk ka konfirmuar ende zyrtarisht pjesëmarrjen në takimin e radhës, por burime pranë procesit bëjnë të ditur se delegacioni iranian pritet të mbërrijë në Pakistan në ditët në vijim. Në përbërje mund të jenë figura kyçe si Mohammad Bagher Ghalibaf, Abbas Araghchi dhe Ali Bagheri Kani.

Bisedimet pritet të fokusohen në zgjatjen e armëpushimit aktual, ndërsa nuk përjashtohet edhe mundësia e një takimi të nivelit të lartë mes presidentëve të SHBA-së dhe Iranit, nëse arrihet progres në negociata.