Çmimet e larta të karburanteve – Braçe kritikon qeverinë që asnjëherë nuk e voton kundër: “Qytetarët nuk u ndërgjegjësuan për kursim”

Deputeti Erion Braçe ka reaguar ndaj situatës së çmimeve të larta të karburanteve në vend, duke kritikuar qeverinë, ndaj së cilës nuk ka votuar asnjëherë kundër, për mungesën e masave për të ndërgjegjësuar qytetarët mbi kursimin e karburantit.

Në një postim, Braçe vuri re me habi se, pavarësisht çmimeve të larta, trafiku në qytet mbetet i madh. “E para, si ka mundësi që këto ditë me çmime të larta nafte, ka më shumë lëvizje dhe më shumë trafik?! Na mungon ndjenja e kursimit që mban larg konsumin tonë të përditshëm dhe pranojmë të paguajmë shtrenjtë! E dyta, më dhemb fakti që ne, në MAXHORANCË, patëm vetëm dy masa: Bordin dhe reduktimin me 20% të akcizës,” shkruan ai.

Braçe duket se e lidh sjelljen e qytetarëve me mungesën e ndërgjegjësimit institucional, duke sulmuar indirekt qeverinë, duke mbetur thjesht kritik me gojë e jo me akte ndaj saj, si dhe masat e saj simbolike, ndërkohë që trafiku dhe konsumimi i lartë shpesh lidhen me nevoja të përditshme dhe infrastruktura të pamjaftueshme urbane.

Qëndrimi i tij ka shkaktuar reagime të ndryshme, disa duke e parë si kritikë të drejtë ndaj mungesës së strategjive për kursim, dhe të tjerë si relativizim të problemeve më të mëdha strukturore të transportit dhe qeverisjes urbane.

Në këtë kontekst, debati mbi çmimet e karburanteve dhe rolin e shtetit në ndërgjegjësimin e qytetarëve mbetet i hapur dhe kritik.