Është zyrtarizuar panorama e plotë e Kupës së Botës 2026, me të 48 kombëtaret pjesëmarrëse dhe ndarjen përfundimtare në grupe për turneun që do të zhvillohet nga 11 qershori deri më 19 korrik në SHBA, Meksikë dhe Kanada.
Gjashtë ekipet e fundit që siguruan kualifikimin përmes fazës play-off janë Çekia, Bosnje Hercegovina, Turqia, Suedia, Iraku dhe Republika Demokratike e Kongos. Ndërkohë, bie në sy mungesa e Italisë, e cila mbetet jashtë për të tretin Botëror radhazi.
Sa i përket grupeve, Çekia është shortuar në Grupin A bashkë me Meksikën, Afrikën e Jugut dhe Korenë e Jugut. Bosnja do të garojë në Grupin B përkrah Kanadasë, Katarit dhe Zvicrës.
Turqia është pjesë e Grupit D, ku do të përballet me SHBA-në, Paraguain dhe Australinë, ndërsa Suedia është shortuar në Grupin F së bashku me Holandën, Japoninë dhe Tunizinë.
Iraku rikthehet në një Kupë Bote pas katër dekadash dhe do të luajë në Grupin I me Francën, Senegalin dhe Norvegjinë. Ndërkohë, Republika Demokratike e Kongos do të jetë në Grupin K, ku do të përballet me Portugalinë, Uzbekistanin dhe Kolumbinë.
Ky edicion i Botërorit do të jetë historik, pasi për herë të parë do të marrin pjesë 48 skuadra, të ndara në 12 grupe. Shqipëria dhe Kosova, megjithatë, nuk arritën të sigurojnë një vend në këtë turne, duke u eliminuar në fazën play-off.
Grupet e Kupës së Botës 2026:
Grupi A: Meksikë, Afrika e Jugut, Korea e Jugut, Çekia
Grupi B: Kanada, Bosnje Hercegovina, Katar, Zvicër
Grupi C: Brazil, Marok, Haiti, Skoci
Grupi D: SHBA, Paraguai, Australi, Turqi
Grupi E: Gjermani, Curaçao, Bregu i Fildishtë, Ekuador
Grupi F: Holandë, Japoni, Suedi, Tunizi
Grupi G: Belgjikë, Egjipt, Iran, Zelanda e Re
Grupi H: Spanjë, Kepi i Gjelbër, Arabia Saudite, Uruguai
Grupi I: Francë, Senegal, Irak, Norvegji
Grupi J: Argjentinë, Algjeri, Austri, Jordani
Grupi K: Portugali, RD Kongo, Uzbekistan, Kolumbi
Grupi L: Angli, Kroaci, Gana, Panama









