BE sinjalizon përparim – Marta Kos: Po lëvizin gjërat për njohjen e Kosovës nga pesë shtete

Komisionerja e Bashkimit Evropian për Zgjerim, Marta Kos, ka deklaruar se po vihen re zhvillime “inkurajuese” lidhur me qëndrimin e pesë shteteve anëtare të BE-së që ende nuk e njohin pavarësinë e Kosovës.

Gjatë një seance të posaçme të Komitetit për Punë të Jashtme të Parlamentit Evropian, raportuesi për Kosovën, Riho Terras, ngriti pyetje mbi përpjekjet e Komisionit Evropian për të adresuar çështjen e mosnjohjes nga këto vende dhe mbi hapat e ndërmarrë së fundmi në këtë drejtim.

Në përgjigjen e saj, Kos u shpreh shkurt se situata po ecën në drejtim pozitiv, pa dhënë megjithatë detaje konkrete mbi negociatat apo kontaktet me shtetet përkatëse.

Pesë vendet e BE-së që nuk e njohin pavarësinë e Kosovës janë Greqia, Spanja, Rumania, Sllovakia dhe Qiproja.

Mungesa e konsensusit brenda BE-së konsiderohet një nga pengesat kryesore në rrugën e Kosovës drejt integrimit evropian. Vendit i është dorëzuar aplikimi për anëtarësim në BE në dhjetor 2022, por procesi ende nuk ka kaluar në fazën formale të shqyrtimit nga institucionet evropiane.

Në të njëjtën seancë, Kos u pyet edhe për mungesën e vizitës së saj në Prishtinë që nga marrja e detyrës. Ajo tha se, megjithëse nuk ka qenë fizikisht në Kosovë, është në kontakt të vazhdueshëm me autoritetet lokale dhe se vizita pritet të realizohet së shpejti.

Ajo shtoi gjithashtu se BE ka hequr disa masa ndaj Kosovës dhe pret që institucionet në Prishtinë të vazhdojnë me reformat e nevojshme për të përfituar nga mbështetja financiare dhe programet e Planit të Rritjes.