Bajerni shqyrton shitjen e Dejvisit – Manchester United në garë për mbrojtësin kanadez

Te klubi gjerman Bayern Munich po diskutohet e ardhmja e mbrojtësit kanadez Alphonso Davies, me mundësinë që ai të largohet gjatë merkatos së verës.

Sipas raportimeve të mediave gjermane, çështja e tij pritet të trajtohet në mbledhjen e bordit të klubit në fund të majit, ku nuk përjashtohet varianti i shitjes, pavarësisht kontratës afatgjatë që e lidh me klubin deri në vitin 2030.

Forma e tij e kufizuar nga dëmtimet dhe mungesa e vazhdimësisë në fushë kanë shtuar diskutimet për të ardhmen e lojtarit, i cili këtë sezon ka zhvilluar vetëm 16 ndeshje zyrtare.

Ndërkohë, interes për shërbimet e tij kanë shfaqur disa klube europiane, përfshirë Manchester United, që po e ndjekin nga afër situatën e tij në Mynih.