Rusia po i ofron Iranit informacione mbi pozicionet e forcave ushtarake të SHBA-së në Lindjen e Mesme, raportoi Washington Post, duke cituar zyrtarë amerikanë.
Sipas raportit, që nga e shtuna Moska i ka transmetuar Teheranit të dhëna për vendndodhjen e disa objektivave ushtarake amerikane, përfshirë anije luftarake dhe avionë në rajon.
Megjithatë, mbetet e paqartë se sa të sakta janë këto informacione. Një nga zyrtarët amerikanë të cituar në raport e cilësoi këtë si një “përpjekje mjaft gjithëpërfshirëse” nga ana e Rusisë për të mbështetur Iranin.
Rusia dhe Irani kanë mbajtur prej kohësh marrëdhënie të ngushta. Në janar 2025, dy vendet nënshkruan një marrëveshje partneriteti strategjik për të thelluar bashkëpunimin, përfshirë në fushën ushtarake dhe të mbrojtjes.
Ndërkohë, më herët këtë javë Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Pete Hegseth, deklaroi se Rusia “nuk është realisht një faktor” në konfliktin me Iranin.









