VIZITE “SEKRET”/ Ambasadorja e SHBA në Athinë takon Ramën në Kryeministri – asnjë njoftim zyrtar për bashkëbisedimin (VIDEO+FOTO)

Një vizitë e pazakontë është regjistruar mbrëmjen e së mërkurës në Kryeministrinë e Shqipërisë, ku është parë të hyjë Kimberly Guilfoyle, ambasadorja e Shteteve të Bashkuara në Athinë. Ajo është pritur në hyrje nga kryeministri Edi Rama, sipas pamjeve të filmuara rastësisht pranë zonës së Piramidës së Tiranës dhe të publikuara nga Televizioni Klan.

Takimi ka ngjallur interes pasi vizita nuk është njoftuar zyrtarisht dhe deri tani as Kryeministria dhe as Ambasada Amerikane nuk kanë dhënë një koment për këtë zhvillim.

Ajo që e bën edhe më të veçantë këtë takim është profili politik i Guilfoyle. Përveç rolit të saj diplomatik në Greqi, ajo konsiderohet një figurë e afërt me presidentin amerikan Donald Trump dhe pjesë e rrethit të tij të ngushtë politik.

Për një kohë të gjatë ajo ka qenë në një lidhje me Donald Trump Jr., djalin e presidentit.

Sipas verifikimeve të mediave, ambasadorja nuk është shoqëruar nga stafi i Ambasadës së SHBA në Tiranë, një detaj që e shton edhe më shumë misterin rreth këtij takimi të zhvilluar larg vëmendjes publike.

Deri tani nuk dihet se cilat ishin temat e diskutimit mes Ramës dhe diplomates amerikane, ndërsa vizita ka ngritur pikëpyetje për qëllimin dhe kontekstin e këtij takimi joformal në Tiranë.