E RENDE/ Morën peng dhe dhunuan një 28-vjeçar në Tiranë – arrestohen tre të rinj… (EMRAT)

Tre persona janë arrestuar nga Policia e Tiranës pasi dyshohet se kanë marrë peng dhe dhunuar një 28-vjeçar në kryeqytet. Në pranga kanë përfunduar Erion Lala (30 vjeç), Elsa Sherifi (24 vjeçe) dhe Marsilda Kita (22 vjeçe).

Sipas policisë, ngjarja ka ndodhur në zonën e njohur si “Te Pamja” në Tiranë. Të rinjtë dyshohet se i kanë hequr lirinë 28-vjeçarit, e kanë dhunuar dhe më pas e kanë lidhur, duke e futur në bagazhin e një automjeti.

Ngjarja u zbulua pasi një patrullë policie ndaloi automjetin e tyre dhe gjatë kontrollit konstatoi se në bagazh ndodhej i lidhur i riu.

Në një njoftim zyrtar, policia bëri të ditur:

“Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 2 arrestuan shtetasit E. L., 30 vjeç, E. Sh., 24 vjeçe dhe M. K., 22 vjeçe, pasi dyshohet se në bashkëpunim me njëri-tjetrin i kanë hequr lirinë një 28-vjeçari dhe e kanë dhunuar.”

Të arrestuarit po hetohen për veprat penale të heqjes së paligjshme të lirisë dhe dhunës, ndërsa 28-vjeçari ndodhet jashtë rrezikut për jetën.