“Do hakmerremi për iranianët e vrarë” – Mojtaba Khamenei flet për herë të parë si Lider Suprem: Hormuzi do të mbetet i mbyllur

Mojtaba Khamenei ka bërë deklaratën e tij të parë publike pasi mori postin e Liderit Suprem të Iranit, duke bërë thirrje për unitet kombëtar dhe duke paralajmëruar për masa të forta kundër SHBA-së në rajon.

Mesazhi i tij u transmetua nga media shtetërore iraniane, ku ai theksoi se Ngushtica e Hormuzit, një nga rrugët më të rëndësishme detare për transportin global të naftës, do të mbetet e mbyllur si një “mjet presioni”.

Në deklaratë, Khamenei paralajmëroi se Irani nuk do të hezitojë të hakmerret për iranianët e vrarë gjatë sulmeve të fundit dhe shtoi se bazat amerikane në rajon duhet të mbyllen, përndryshe do të përballen me sulme.

Megjithatë, ai theksoi se Teherani synon të ruajë marrëdhënie miqësore me vendet fqinje, duke sqaruar se objektiv i veprimeve iraniane janë vetëm instalimet ushtarake amerikane në këto territore.

Mojtaba Khamenei, 56 vjeç, u zgjodh Lider Suprem pas vrasjes së babait të tij, Ali Khamenei, më 28 shkurt, në ditën e parë të sulmeve të SHBA-së dhe Izraelit ndaj Iranit. Ai nuk është shfaqur ende publikisht që nga zgjedhja, ndërsa raportimet sugjerojnë se mund të jetë plagosur gjatë sulmeve.