VIDEO-LAJM/ Sulm ndaj Ambasadës Amerikane në Bagdad – aktivizohet mbrojtja ajrore dhe shpërthimet tronditin qytetin

Momente tensioni janë regjistruar në Bagdad, ku sistemi i mbrojtjes ajrore është aktivizuar pranë Ambasadës së Shteteve të Bashkuara në Bagdad pas një sulmi me raketa ose dronë.

Një video e publikuar në rrjetet sociale dhe e verifikuar nga The New York Times tregon momentin kur mbrojtja ajrore hyn në veprim për të kapur objektivat që po sulmonin zonën. Banorët në kryeqytet dhe në qytetin verior Irbil raportuan se dëgjuan shpërthime të forta dhe zhurmën e sistemit mbrojtës.

Kryeministri në detyrë i Irakut, Mohammed Shia al-Sudani, konfirmoi sulmin dhe e cilësoi atë një “akt terrorist”, duke theksuar se ambasadat që veprojnë në Irak nuk duhet të shënjestrohen në asnjë rrethanë. Ai urdhëroi forcat e sigurisë të identifikojnë dhe arrestojnë autorët.

Sipas tre zyrtarëve të sigurisë që folën për Associated Press, një raketë goditi pistën e uljes së helikopterëve brenda kompleksit të ambasadës amerikane. Fatmirësisht, deri më tani nuk raportohen viktima.

Sulmi ndodhi në Zonën e Gjelbër të Bagdadit, një zonë shumë e fortifikuar ku ndodhen institucionet qeveritare dhe misionet diplomatike. Edhe pse zona është shënjestruar disa herë në të kaluarën, ky është një nga incidentet e para të raportuara gjatë javës së fundit, ndërsa tensionet në rajon janë rritur pas operacioneve ushtarake kundër Iranit.

Ndërkohë, Departamenti Amerikan i Shtetit nuk ka dhënë ende një reagim zyrtar lidhur me ngjarjen.