Teherani mohon bllokimin e Hormuzit dhe sfidon presionin ndërkombëtar – Ministri i Jashtëm i Iranit, Araghchi: Nuk trembemi nga kërcënimet

Tensionet mes Iranit, SHBA-së dhe Izraelit vijojnë të rriten, ndërsa palët kanë shkëmbyer deklarata të forta në javët e fundit.

Ministri i Jashtëm i Iranit, Seyed Abbas Araghchi, deklaroi se Ngushtica e Hormuzit nuk është e mbyllur, pavarësisht shqetësimeve për sigurinë në zonë.

Në një mesazh të publikuar në rrjetin social X, ai u duk se i drejtohej SHBA-së, duke theksuar se anijet po hezitojnë të kalojnë për shkak të frikës së siguruesve nga përshkallëzimi i konfliktit.

“Ngushtica e Hormuzit nuk është mbyllur. Problemi lidhet me pasigurinë që ka krijuar lufta që ju keni nisur. Provoni respektin – liria e lundrimit nuk mund të ekzistojë pa lirinë e tregtisë”, u shpreh ai.

Ndërkohë, kjo rrugë ujore mbetet një nga arteriet më të rëndësishme të tregtisë globale, pasi një pjesë e konsiderueshme e naftës botërore kalon përmes saj çdo ditë.

Në të njëjtën linjë të ashpër, edhe kryetari i parlamentit iranian, Mohammad Bagher Ghalibaf, paralajmëroi se Irani mund të zgjerojë objektivat e tij, duke përfshirë jo vetëm bazat ushtarake, por edhe institucione financiare që, sipas tij, mbështesin buxhetin ushtarak të SHBA-së.

Ai përmendi si shembull obligacionet e Thesarit amerikan, duke deklaruar se ato mund të konsiderohen objektiva të mundshëm në rast përshkallëzimi të mëtejshëm.

Situata mbetet e tensionuar, ndërsa komuniteti ndërkombëtar ndjek me shqetësim zhvillimet në një nga pikat më të ndjeshme strategjike në botë.