Ish-deputeti i Partisë Demokratike, Ervin Salianji, ka reaguar pas protestës së opozitës të mbajtur më 22 mars, duke shprehur kritika ndaj organizatorëve të saj.
Në një reagim publik, ai i akuzoi drejtuesit se janë të fokusuar vetëm te ruajtja e pozicioneve të tyre, ndërsa sipas tij nuk po dëgjojnë zërin e demokratëve që kërkojnë ndryshim real dhe largimin e kryeministrit Edi Rama.
Salianji theksoi se Partia Demokratike nuk është krijuar për të ruajtur pushtet apo poste, por për të sjellë ndryshim politik dhe për të përmbysur regjime.
Ai gjithashtu u ndal te simbolika e 22 Marsit, duke e cilësuar atë si një datë kyçe për pluralizmin shqiptar dhe kthesën historike pas dekadash diktature.
Në mesazhin e tij, ai theksoi se kjo datë nuk duhet të përdoret për qëllime personale apo kult individi, ndërsa nënvizoi se zgjidhja për Partinë Demokratike mbetet rikthimi te gara, vota dhe proceset demokratike.
Sipas tij, vetëm përmes zgjedhjeve të lira dhe konkurrencës së ndershme, Partia Demokratike mund të rikthehet si forcë fituese.









