Surprizohet Evropa – Kosova një hap larg historisë – “Dardanët” futen mes favoritëve për kualifikim në Botërorin 2026

Kombëtarja e Kosovës po konsiderohet gjithnjë e më shumë si një nga skuadrat pretendente për kualifikim në Kupën e Botës 2026, pas përditësimit të fundit të parashikimeve nga “Football Meets Data”.

Sipas këtyre projeksioneve, gara në fazën “play-off” evropian pritet të jetë shumë e fortë, me Italinë që kryeson si favorit kryesor për kualifikim. Megjithatë, Kosova renditet në krye të skuadrave që nuk konsideroheshin favorite, duke u kthyer në një surprizë serioze.

Kjo rritje e besimit vjen pas fitores spektakolare 4-3 në transfertë ndaj Sllovakisë, që i siguroi “Dardanëve” një vend në finalen e “play-off”-it. Kosova do të përballet me Turqinë më 31 mars në Prishtinë, në një ndeshje vendimtare për një biletë drejt Botërorit.

Sipas të dhënave, Kosova ka rreth 45% shanse për kualifikim, ndërsa Turqia mbetet paksa favorite me 55%. Këto shifra tregojnë një përballje të balancuar, ku çdo detaj mund të bëjë diferencën.

Në krye të listës qëndron Italia me 70% gjasa për kualifikim, e ndjekur nga Suedia, Danimarka dhe Turqia, të gjitha me përqindje të përafërta. Ndërkohë, Çekia renditet në të njëjtin nivel me Kosovën, ndërsa Polonia mbetet shumë pranë.

Ekspertët theksojnë se forma në rritje dhe paraqitjet e fundit e bëjnë Kosovën një kundërshtar të fortë, me mundësi reale për të shkruar histori në këtë fazë vendimtare të kualifikueseve.