Reshjet e dëborës janë rikthyer në zonat juglindore të vendit, pavarësisht se jemi në stinën e pranverës. Sipas raportimeve, bora ka përfshirë kryesisht zonat mbi 1100–1200 metra lartësi, veçanërisht në rrethinat e Pogradecit.
Reshjet kanë qenë me intensitet të ulët deri në mesatar gjatë orëve të para të mëngjesit, duke sjellë praninë e dëborës në disa segmente rrugore. Strukturat përgjegjëse kanë ndërhyrë për pastrimin e akseve kryesore, sidomos në zonat ku është regjistruar më shumë grumbullim.
Vështirësitë më të mëdha janë shfaqur në aksin Qukës–Qafë Plloçë dhe në zonën e Qafë Thanës, ku gjatë natës është krijuar një shtresë më e konsiderueshme dëbore. Megjithatë, për shkak të temperaturave më të buta, dëbora ka nisur të shkrijë dhe aktualisht mbetet kryesisht në zonat malore.
Reshje dëbore janë regjistruar edhe në Dardhë, Voskopojë, Boboshticë, si dhe në qytetet Leskovik dhe Ersekë.
Autoritetet u bëjnë thirrje drejtuesve të mjeteve të tregojnë kujdes gjatë lëvizjes, për shkak të lagështirës dhe pranisë së dëborës në segmente të caktuara. Aktualisht, sipas të dhënave zyrtare, të gjitha akset rrugore janë të kalueshme dhe nuk raportohen probleme serioze në qarkullim.









