Shpërthime të fuqishme janë raportuar gjatë natës në qytetin iranian të Isfahanit, ndërsa në kryeqytetin Teheran u regjistruan ndërprerje të energjisë elektrike.
Pamje të shpërndara në rrjetet sociale, të verifikuara përmes gjeolokimit nga CNN, tregojnë disa shpërthime të mëdha në Isfahan. Në video dallohen edhe minaret e xhamisë së madhe Mosalla, duke konfirmuar vendndodhjen e ngjarjes.
Ndërkohë, mediat shtetërore iraniane raportuan shpërthime edhe në zonat lindore dhe perëndimore të Teheranit. Sipas agjencisë së lajmeve Fars, ndërprerjet fillestare të energjisë në kryeqytet u shkaktuan nga dëmtimi i një nënstacioni elektrik, si pasojë e goditjeve. Energjia më pas është rikthyer.
Në orët e para të mëngjesit, ushtria izraelite paralajmëroi banorët e Teheranit për një goditje të afërt në zonën Vard Avar, përmes një njoftimi në gjuhën persiane të publikuar në rrjetin X. Megjithatë, për shkak të ndërprerjes së internetit në Iran që nga fillimi i konfliktit, paralajmërimi mund të mos jetë parë nga shumica e qytetarëve.









