Shtetet e Bashkuara kanë dislokuar mijëra trupa shtesë në Lindjen e Mesme, në një moment kur administrata e presidentit Donald Trump po shqyrton hapat e ardhshëm në përballjen me Iranin.
Sipas dy zyrtarëve amerikanë, në rajon kanë mbërritur njësi nga Divizioni i 82-të Ajror, një nga formacionet elitare të ushtrisë amerikane. Ky zhvillim shihet si pjesë e përgatitjeve për zgjerimin e opsioneve ushtarake.
Që prej 18 marsit, Uashingtoni ka analizuar mundësinë e dërgimit të forcave shtesë, një lëvizje që mund të hapë rrugën për operacione më të gjera, përfshirë edhe vendosjen e trupave në territorin iranian.
Parashutistët, me bazë në Fort Bragg në Karolinën e Veriut, i bashkohen forcave të tjera të dislokuara tashmë në rajon, përfshirë marinarë, marinsa dhe njësi të Operacioneve Speciale. Vetëm gjatë fundjavës, rreth 2,500 marinsa të tjerë kanë mbërritur në zonë.
Zyrtarët, që folën në kushte anonimiteti, nuk dhanë detaje mbi vendndodhjen e saktë të trupave, por theksuan se ky dislokim ishte i pritshëm në kuadër të zhvillimeve të fundit.
Forcat e reja përfshijnë struktura komanduese të Divizionit të 82-të Ajror, njësi logjistike dhe një ekip luftarak të nivelit brigade, duke rritur kapacitetet për operacione të mundshme në të ardhmen.
Edhe pse nuk ka ende një vendim për dërgimin e trupave në Iran, burimet theksojnë se këto forca mund të përdoren në skenarë të ndryshëm, përfshirë një ndërhyrje të mundshme në ishullin Kharg, një pikë kyçe për eksportet e naftës iraniane.









