SPAK publikon raportin 2025 – Hetime e konfiskime rekord – Në shënjestër krimi i organizuar

Struktura e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ka publikuar raportin vjetor për vitin 2025, duke evidentuar një rritje të ndjeshme të hetimeve dhe konfiskimeve ndaj krimit të organizuar, korrupsionit të nivelit të lartë dhe pastrimit të parave.

Gjatë vitit të kaluar, SPAK ka hetuar 871 procedime penale, 4.9% më shumë se në 2024, nga të cilat 294 ishin të reja. Fokus kryesor kanë qenë çështjet komplekse, me një rritje prej 13.5% të personave të përfshirë në hetime. Në fushën e krimit të organizuar, pasuritë e sekuestruara arritën 42.4 milionë euro, ndërsa konfiskimet ishin rreth 1.8 milionë euro.

Raporti tregon gjithashtu një përparim të hetimeve ndaj zyrtarëve të lartë: mbi 50% e personave të hetuar u dërguan në gjykatë dhe 10 prej tyre u dënuan me vendim të formës së prerë.

Në fushën e trafikut, skuadrat e përbashkëta hetimore kanë realizuar operacione ndërkombëtare, duke arrestuar 11 shtetas shqiptarë për prodhim dhe shpërndarje droge. Hetimet mbi vrasjet dhe aktivitetet kriminale janë intensifikuar me metoda digjitale dhe financiare.

Vlera totale e aseteve të sekuestruara dhe konfiskuara gjatë vitit 2025 ishte 45.4 milionë euro, përfshirë edhe kriptovalutat. Raporti thekson gjithashtu rritjen e koordinimit me Europol, Eurojust dhe autoritetet amerikane, si dhe nevojën për forcimin e bashkëpunimit me institucionet publike dhe konsolidimin e Sistemit të Menaxhimit të Çështjeve.

SPAK thekson se sfidat kryesore mbeten hetimi i krimit të organizuar, korrupsioni i zyrtarëve të lartë dhe statusi ligjor i prokurorëve pas përfundimit të mandatit. Raporti reflekton një vit me efektivitet të lartë dhe hapa të rëndësishëm në drejtim të luftës ndaj krimit dhe korrupsionit.