Gjykata e Lartë ka pranuar këtë të hënë rekursin e ish-zëvendëskryeministres Belinda Balluku kundër masës “Ndalim i daljes nga vendi”. Balluku kërkoi të rrëzohet ndalimi i udhëtimeve jashtë Shqipërisë, i vendosur më herët nga GJKKO, që ka bllokuar pasaportën e saj.
Rekursi u depozitua më 29 janar dhe vjen ndërkohë që masa e pezullimit të ushtrimit të detyrës mbetet e pezulluar nga Apeli, deri në vendimin përfundimtar të Gjykatës Kushtetuese.
Prokuroria e Posaçme akuzon Ballukun për shkelje të barazisë në tendera në dy raste të ndryshme: për Tunelin e Llogarasë dhe për tre lote të ndërtimit të Unazës së Madhe në Tiranë. Vendimi i Gjykatës së Lartë pritet të vendosë mbi të drejtën e saj për të udhëtuar jashtë vendit gjatë procesit hetimor.









