Partia Socialiste do të mbledhë nesër në orën 10:00 Grupin Parlamentar, në një takim ku do të marrë pjesë edhe kryeministri dhe kryetari i saj, Edi Rama.
Në fokus të diskutimeve pritet të jetë kërkesa e SPAK për autorizimin e arrestimit të ish-zëvendëskryeministres Belinda Balluku, një nga çështjet më të nxehta politike të momentit.
Sipas raportimeve, gjatë mbledhjes do të lexohet raporti i pesë anëtarëve socialistë në Këshillin e Mandateve dhe Imunitetit lidhur me kërkesën e Prokurorisë së Posaçme. Po ashtu, pritet të diskutohet edhe qëndrimi që do të mbajë shumica në seancën parlamentare.
Ndërkohë, kreu i Grupit Parlamentar të PS-së, Taulant Balla, u ka dërguar një mesazh deputetëve socialistë duke u kërkuar pjesëmarrje të detyrueshme në këtë mbledhje.
Burime mediatike bëjnë me dije se në takim pritet të mbajë një fjalim edhe kryeministri Edi Rama, ndërsa nuk përjashtohet mundësia që të flasë edhe vetë Belinda Balluku.
Sipas raportimeve, raportet e përgatitura nga opozita dhe shumica socialiste do të lexohen, diskutohen dhe më pas votohen në seancën parlamentare të 12 marsit, ku pritet të merret vendimi përfundimtar lidhur me kërkesën e SPAK.
Kjo mbledhje vjen vetëm pak javë pasi socialistët u mblodhën më 26 shkurt, ku u mor vendimi për ndryshime në qeveri, duke e bërë situatën politike edhe më të tensionuar.









