Sekuestrohen pasuritë e një biznesmeni në Fier – dyshohet për pastrim parash përmes call centerave

Prokuroria e Fierit ka sekuestruar pasuritë e shtetasit E.Sh., i cili dyshohet se ka përfituar para të paligjshme nga aktiviteti i një call center-i dhe më pas i ka pastruar përmes investimeve në pasuri.

Sipas organit të akuzës, ndaj tij është nisur një procedim penal për veprat “Mashtrimi”, “Fshehja e të ardhurave” dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale apo veprimtarisë kriminale”.

Në kuadër të hetimeve janë vendosur nën sekuestro një biznes dhe një apartament, të cilat dyshohet se janë blerë me të ardhura të siguruara nga aktiviteti i paligjshëm.

Nga verifikimet e kryera rezulton se E.Sh. ushtronte aktivitet call center në qytetin e Fier dhe dyshohet se përmes këtij aktiviteti ka qenë i përfshirë në skema të kundërligjshme financiare.

Hetimet kanë zbuluar gjithashtu depozitimin e shumave të konsiderueshme cash në llogari bankare, të cilat nuk justifikonin burim të ligjshëm. Sipas prokurorisë, këto para më pas janë investuar në pasuri të luajtshme dhe të paluajtshme, të cilat aktualisht janë në proces verifikimi.

Po ashtu dyshohet se janë kryer veprime juridike për transferimin e pasurive, me qëllim fshehjen e origjinës së tyre të paligjshme, element që përbën bazën e dyshimeve për veprën penale të pastrimit të parave.

Në funksion të këtij procedimi penal, ndaj personit nën hetim janë vendosur edhe masa sigurimi me karakter shtrëngues, ndërsa hetimet vijojnë për të zbardhur plotësisht aktivitetin e dyshuar kriminal.