Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, konfirmoi se një dron ka goditur një parking pranë ndërtesës së Konsullatës Amerikane në Dubai, duke shkaktuar zjarr, por pa pasoja për personelin diplomatik.
“Informacioni i fundit që mora para se të dilja para kamerave ishte se një dron goditi një parking pranë ndërtesës së Chancery dhe shkaktoi zjarr,” u shpreh Rubio, duke theksuar se i gjithë stafi është evidentuar dhe ndodhet në siguri. Ai shtoi se reduktimi i personelit në disa objekte diplomatike kishte nisur më herët, për shkak të situatës së tensionuar.
Rubio deklaroi se ambasadat dhe përfaqësitë diplomatike amerikane po përballen me kërcënime të drejtpërdrejta, ndërsa konsullata në Dubai ndodhet në një zonë të populluar, pranë ambasadës britanike dhe konsullatës saudite.
Departamenti Amerikan i Shtetit njoftoi se po organizon fluturime “charter” nga Emiratet e Bashkuara Arabe, Arabia Saudite dhe Jordania për të ndihmuar qytetarët amerikanë të largohen nga rajoni. Sipas autoriteteve, mbi 9 mijë amerikanë janë rikthyer tashmë nga Lindja e Mesme ditët e fundit, përfshirë më shumë se 300 nga Izraeli.
Zyrtarët amerikanë theksuan se linjat komerciale vijojnë të operojnë në disa vende të rajonit, ndërsa po ofrohet asistencë aktive për rezervimin e biletave dhe organizimin e largimeve të sigurta.









