Sipas një raportimi të gazetës Wall Street Journal, presidenti amerikan Donald Trump po konsideron përfundimin e fushatës ushtarake kundër Iranit, edhe nëse Ngushtica e Hormuzit vazhdon të mbetet e bllokuar.
Duke iu referuar burimeve brenda administratës, media amerikane shkruan se Trump dhe këshilltarët e tij kanë vlerësuar se një ndërhyrje ushtarake për rihapjen me forcë të këtij korridori të rëndësishëm detar mund ta zgjeronte konfliktin përtej afatit të parashikuar prej katër deri në gjashtë javësh.
Në vend të kësaj, presidenti thuhet se po shqyrton mundësinë e mbylljes së operacioneve aktuale, duke argumentuar se infrastruktura detare e Iranit dhe kapacitetet e tij raketore janë dëmtuar ndjeshëm nga goditjet e fundit.
Raporti thekson se Shtetet e Bashkuara synojnë të vijojnë presionin diplomatik ndaj Teheranit, me qëllim rikthimin e qarkullimit në këtë rrugë strategjike për tregtinë globale të energjisë.
Ndërkohë, BBC ka bërë të ditur se ka kërkuar një reagim zyrtar nga Shtëpia e Bardhë, por deri tani nuk ka pasur një përgjigje.









