Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka reaguar fuqishëm lidhur me sulmin me raketa balistike të Iranit ndaj Turqisë, duke e cilësuar veprimin si thellësisht shqetësues dhe një kërcënim serioz për stabilitetin rajonal dhe sigurinë ndërkombëtare.
Në një postim në rrjetin social X, Rama nënvizon se Turqia është një vend vëlla, partner strategjik i Shqipërisë dhe një aleat i çmuar i NATO-s, ndërsa sulmet e vazhdueshme të regjimit iranian janë agresive, destabilizuese dhe rrezikojnë përshkallëzimin e konfliktit.
Rama përgëzon gjithashtu veprimin e shpejtë të NATO-s për mbrojtjen e territorit dhe hapësirës ajrore, duke theksuar se Shqipëria qëndron fort krah Turqisë dhe aleatëve të saj në mbrojtje të sigurisë dhe unitetit të Aleancës.
Ky reagim thekson solidaritetin e Tiranës me Ankaranë dhe angazhimin e saj për paqen dhe stabilitetin në rajon, përballë përshkallëzimit të tensioneve nga sulmet e Iranit.









