Deputeti Haxhi Avdyli ka dhënë dorëheqje të parevokueshme nga GUXO, duke e bërë lajmin të ditur përmes rrjeteve sociale. Ai shprehet se nuk mund të qëndrojë i heshtur përballë linçimit publik dhe sulmeve ndaj presidentes Vjosa Osmani, përfshirë edhe sulmet ndaj familjes së saj.
Në postimin e tij, Avdyli kritikoi ashpër përdorimin e manipulimeve me inteligjencë artificiale për të dehumanizuar presidenten dhe për të nxitur urrejtje të pakontrollueshme me qëllime elektorale. Ai theksoi se kjo fushatë është e papranueshme dhe e rrezikshme.
Avdyli kujton se ka promovuar gjithmonë paqen, dialogun dhe respektin, dhe thekson se gjendja aktuale nuk i lejon të identifikohet me një politikë që ai e konsideron denigruese dhe agresive. Ai shpreson që dorëheqja e tij të shërbejë si apel për të ndalur gjuhën e urrejtjes dhe për të ndryshuar strategjinë e politikës së brendshme.
Në përfundim, Avdyli apelon që liria dhe e ardhmja e Republikës së Kosovës të vendosen mbi gjithçka, duke kujtuar se rrugët politike mund të ndahen e bashkohen, por njerëzillëku nuk duhet të humbasë kurrë.









