Sezoni 2026 i Formula 1 ka nisur me vështirësi për kampionin në fuqi Max Verstappen dhe ekipin Red Bull Racing, duke e kthyer dominimin e viteve të fundit në një betejë të vërtetë për mbijetesë në pistë.
Në këtë kontekst, ish-piloti Ralf Schumacher ka dalë me kritika të forta ndaj holandezit, duke krahasuar sjelljen e tij me atë të vëllait legjendar, Michael Schumacher.
“Mikaeli nuk do ta bënte kurrë këtë”, u shpreh Ralf, duke iu referuar deklaratave të Verstappen për tifozët dhe situatën aktuale. Ai theksoi se pilotit të Red Bull-it i mungon një figurë këshilluese pranë vetes, që ta ndihmojë të menaxhojë presionin dhe komunikimin publik.
Sipas tij, suksesi i madh shpesh e izolon një sportist nga kritikat reale, ndaj Verstappen ka nevojë për një menaxher apo mik të afërt që t’i thotë gjërat hapur dhe ta mbajë të fokusuar.
Ralf Schumacher ngriti gjithashtu shqetësimin për mungesën e një figure të fortë si Helmut Marko në strukturën e ekipit, duke e cilësuar këtë si një nga arsyet e problemeve aktuale në komunikim dhe menaxhim.
Ndërkohë, ndryshimet në rregulloret teknike dhe presioni pas katër titujve radhazi kanë krijuar një realitet të ri për Verstappen, i cili tashmë duhet të luftojë fort për të mbetur në krye të garës.









