PRESIDENTI I KOSOVES/ Lëvizja Vetëvendosje zyrtarizon kandidaturën e Glauk Konjufcës

Lëvizja Vetëvendosje ka bërë të ditur zyrtarisht se ish-kryetari i Kuvendit dhe ish-ministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Glauk Konjufca, do të jetë kandidati i saj për President të Republikës së Kosovës.

Në një deklaratë të publikuar këtë të mërkurë, Vetëvendosje theksoi se pas përpjekjeve për të arritur një marrëveshje me opozitën, partia ka vendosur të propozojë Konjufcën, deputetin e shtatë legjislaturave dhe njeriun e dytë më të votuar në historinë e vendit.

Partia vlerësoi zgjedhjet e 28 dhjetorit 2025 si “rezultatin më të qartë në historinë e Kosovës së pasluftës” dhe theksoi se konstituimi i Kuvendit dhe i Qeverisë është kryer pa vonesa. Procesi i radhës mbetet zgjedhja e presidentit, për të cilën kërkohet pjesëmarrja e të paktën 80 deputetëve në sallë.

Vetëvendosje njoftoi gjithashtu se ka ofruar disa herë dialog me subjektet më të mëdha opozitare për të gjetur një kandidat konsensual, por sipas saj, opozita nuk ka propozuar asnjë emër konkret dhe ka refuzuar ofertat e bëra.

“Subjekti ynë politik është i bindur se ka shumë emra të denjë për këtë pozitë dhe pajtueshmëria mund të arrihet pa zgjedhje të reja”, thuhet në deklaratë. Vetëvendosje fton opozitën që të propozojë kandidatin e saj dhe premton ndihmë në sigurimin e nënshkrimeve parlamentare, duke theksuar se zgjedhjet janë të evitueshme dhe pajtueshmëria është e mundshme.