PERPLASJE/ Mesazh i fortë nga Osmani për Albin Kurtin: Vendin e sollën në këtë pikë njerëz me qëllime të rrezikshme

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka lëshuar kritika të ashpra ndaj zhvillimeve të fundit politike në vend, duke lënë të kuptohet se përgjegjës për situatën aktuale janë drejtuesit e qeverisë, pa e përmendur drejtpërdrejt emrin e kryeministrit Albin Kurti.

Gjatë një deklarate publike, Osmani tha se qytetarët e Kosovës nuk kanë kërkuar zgjedhje të reja, por se vendi është çuar drejt këtij skenari për shkak të dështimit të institucioneve për të përmbushur detyrimet e tyre.

“Natyrisht që qytetarët nuk kanë dashur zgjedhje. Situata u krijua nga dështimi i Kuvendit për ta kryer detyrën e vet. Askush nuk do të duhej të dëshironte një cikël tjetër politik, kur vendi ka nevojë për stabilitet. Këtu e sollën vendin njerëz të papërgjegjshëm dhe me qëllime të rrezikshme”, deklaroi presidentja.

Deklarata e saj vjen në një moment tensionesh politike në Kosovë, pas krizës institucionale që çoi në shpërndarjen e Kuvendit dhe hapjen e rrugës për zgjedhje të parakohshme.