Kryeministri Edi Rama ka zhvilluar një takim me furnizuesit e karburanteve në vend, ku ka kërkuar që rritja e çmimeve në tregjet ndërkombëtare të mos reflektohet drejtpërdrejt mbi konsumatorët shqiptarë.
Gjatë bashkëbisedimit, Rama theksoi se, ndonëse në bursat ndërkombëtare çmimi i naftës është rritur me rreth 40%, në Shqipëri kjo rritje ka qenë më e moderuar krahasuar me vende të tjera. Ai vlerësoi qasjen e operatorëve, por kërkoi që kjo linjë të vazhdojë edhe në kushtet e një krize të pasigurt që lidhet me zhvillimet në Lindjen e Mesme.
“Keni një rezervë fizike për rreth 30 ditë, ndërkohë që në kontrata keni të garantuar furnizim për 100 ditë. Situata duhet monitoruar çdo ditë”, u shpreh Rama, duke theksuar rëndësinë e menaxhimit të stokut në këtë periudhë.
Kreu i qeverisë bëri të ditur gjithashtu se po punohet për ndryshime ligjore që synojnë rritjen e rezervës shtetërore të karburanteve deri në tre muaj, në përputhje me standardet e sigurisë energjetike. Ai paralajmëroi edhe hyrjen e shtetit si distributor në treg, për të garantuar furnizimin dhe për të stabilizuar çmimet.
Sa i përket mundësisë për rikthimin e Bordit të Transparencës, Rama u shpreh se nuk e sheh të nevojshëm një hap të tillë, duke argumentuar se dialogu me operatorët ka funksionuar deri tani.
“Qëllimi ynë nuk është t’ju shtrëngojmë, por të sigurojmë që kriza në Lindjen e Mesme të mos projektohet mbi supet e konsumatorit. Më mirë marzhe më të ulëta sesa bordi në kurriz”, deklaroi ai.
Deklaratat e kryeministrit vijnë në një moment të rritjes së tensioneve globale dhe luhatjeve të forta në tregjet e energjisë, që po ndikojnë drejtpërdrejt edhe në çmimet e karburanteve në vend.









