Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, njoftoi sot se do të dërgojë ftesa liderëve të opozitës për takime që do të zhvillohen në fillim të javës së ardhshme, në kuadër të diskutimeve për zgjedhjen e presidentit të ri.
Kurti theksoi se vendi nuk ka nevojë për zgjedhje të reja, dhe se stabiliteti institucional duhet të mbetet prioritet, duke theksuar se zgjidhja duhet të gjendet përmes dialogut mes partive politike. Ai rikujtoi takimet e mëparshme me kryetarët e LDK-së dhe PDK-së, dhe theksoi se vonesat në bisedime kanë qenë një gabim.
Duke komentuar deklaratat e Vjosa Osmani, Kurti tha se nuk dëshiron të përsërisë qëndrimet e tij të mëparshme, pasi çështja tashmë po shqyrtohet nga Gjykata Kushtetuese.
Kryeministri paralajmëroi se bllokimi i Kuvendit ka sjellë vonesa në mbi 120 milionë euro projekte ndërkombëtare, ndërsa zgjedhjet e reja do të kushtonin së paku 10 milionë euro. Për këtë arsye, sipas Kurtit, marrëveshja me opozitën për zgjedhjen e presidentit është zgjidhja më e mirë.
Ai shtoi se data e 28 dhjetorit ishte e vetmja e mundshme për zgjedhjet e fundit parlamentare, duke përmendur sfidat teknike, logjistike dhe buxhetore që penguan organizimin e tyre më herët









