KOMPENSIMI/ Goditja prej çmimeve të naftës – Kyriakos Mitsotakis shpall paketë ndihme për qytetarët”

Qeveria e Greqisë ka prezantuar një paketë të re masash ekonomike për të përballuar rritjen e çmimeve të naftës, si pasojë e tensioneve në Lindjen e Mesme.

Kryeministri Kyriakos Mitsotakis bëri të ditur se do të akordohen rreth 300 milionë euro për të lehtësuar barrën financiare mbi qytetarët dhe sektorët kyç të ekonomisë.

Ndër masat kryesore është subvencionimi i karburantit me 16 cent për litër në rrjetin e shpërndarjes, çka pritet të përkthehet në një ulje deri në 20 cent për konsumatorët. Po ashtu, do të vendoset një Kartë Dixhitale Karburanti për të mbështetur familjet më të prekura nga rritja e çmimeve.

Qeveria do të mbështesë edhe sektorin bujqësor, duke subvencionuar 15% të kostos së plehrave kimike për fermerët, ndërsa një paketë kompensimi do të aplikohet edhe për kompanitë e transportit detar, me kusht që të reflektohet në uljen e çmimeve të biletave.

Mitsotakis theksoi se këto masa janë të mundura falë stabilitetit ekonomik dhe menaxhimit të kujdesshëm fiskal, duke shtuar se qeveria do të vazhdojë të qëndrojë në krah të qytetarëve në këtë periudhë pasigurie globale.