Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Socialiste, Blendi Klosi, ka reaguar pas lajmeve që qarkulluan për një përplasje mes Edi Ramës dhe Elisa Spiropalit gjatë mbledhjes së fundit të Grupit Parlamentar në Pallatin e Brigadave.
I ftuar në emisionin “Top Story”, Klosi i cilësoi këto raportime si spekulime, duke theksuar se nuk ka pasur asnjë tension apo ndarje brenda socialistëve. Ai hodhi poshtë edhe interpretimet lidhur me mënyrën e uljes së deputetëve në sallë, duke sqaruar se nuk ka ekzistuar ndonjë protokoll i veçantë.
Sipas tij, përveç rendit të zakonshëm të ministrave të kabinetit, deputetët janë ulur lirshëm sipas preferencave të tyre. “Secili zinte vendin e vet, nuk kishte protokoll në uljen e deputetëve,” u shpreh Klosi.
Ai shtoi se mbledhja, e cila zgjati disa orë, u fokusua në diskutime për çështje të rëndësishme, si reforma territoriale, procesi i legalizimeve dhe problematika të tjera që prekin vendin.
Në përfundim, Klosi theksoi se episode të veçuara janë nxjerrë jashtë kontekstit dhe janë ekzagjeruar në media, duke krijuar një perceptim të gabuar për situatën brenda Partisë Socialiste.
Pjesë nga fjala e Blendi Klosit:
Ne po përgatitemi për të fituar zgjedhjet e ardhshme. Kemi nisur procesin, jemi në fazë përgatitore për zgjedhjet e brendshme në parti për të shkuar në përgatitjet e shtator-tetorit për garën e ardhshme elektorale.
PS përgatitet për garën e ardhshme më e organizuar se kurrë, më fituese se kurrë, dhe një parti që ka fituar të gjitha garat e fundit elektorale. Si ne i fitojmë këto gara është puna jonë. Nuk ka asnjë ndjesi përçarjeje në PS, nuk ka kundërshti, është një debat, është një mbledhje. Secili zinte vendin e vet, nuk kishte protokoll. Ju garantoj se nuk kishte protokoll në uljen e deputetëve, përveç uljes së ministrave të kabinetit.
Kjo nuk qëndron fare dhe pastaj ishin 100 e ca veta në atë mbledhje. Dhe ishte 8 orë diskutim, diskutim dhe në dalësh në një moment të caktuar pati një moment që asnjë moment, se s’kishte asnjë debat, asgjë nuk kishte, një moment, nuk di as çfarë t’i them. As u qeshën as u përqeshën, pati një ndërhyrje, asnjë shqetësim. Nuk ishte një gjë që të bëhej emision. Unë isha aty dhe. Nuk u acarua Edi Rama. Në çdo mbledhje të kujdo organizate që zgjat 8 orë dhe diskutohet për gjëra të rëndësishme, reforma territoriale, diskutime, u çuan më shumë se gjysma e deputetëve për të folur, për hipotekat, legalizime, në një diskutim të dalë lajmi dhe të bëhet emision, të mbushen portale.









