Green Coast në lupën e SPAK – Kontrolle për tenderat e AKSHI-t – në hetim Agasi dhe Beqiri

Prokuroria e Posaçme (SPAK) ka zhvilluar kontrolle në kompleksin Green Coast, ku janë verifikuar dy vila luksoze në pronësi të Ergys Agasit dhe një vilë në pronësi të Ermal Beqirit.

Veprimet janë kryer me urdhër të Gjykatës së Posaçme, në kuadër të një hetimi ndaj një grupi të dyshuar kriminal, që sipas SPAK dyshohet të drejtohet nga Agasi dhe Beqiri. Autoritetet dyshojnë se përmes kompanive të tyre janë përfituar në mënyrë të paligjshme miliona euro nga tenderat e AKSHI-t.

Sipas burimeve, gjatë kontrolleve janë sekuestruar dokumente dhe materiale të tjera që mund të ndihmojnë hetimin.

Në dosjen hetimore përmendet edhe dyshimi se personat në fjalë kanë ushtruar presion ndaj biznesmenëve të ndryshëm, deri në rrëmbimin e tyre, me qëllim tërheqjen nga garat për tenderat publikë.

Gjatë ditës janë kryer edhe veprime të tjera hetimore, të cilat mbeten konfidenciale.

Në lidhje me këtë çështje, ish-zëvendësdrejtoresha e AKSHI-t, Mirlinda Karçanaj, ndodhet në masën e “arrestit në shtëpi”, ndërsa persona të tjerë janë nën masa të ndryshme sigurie.