“Jemi më pranë se mendoni” – Homeland Justice sulmon Kuvendin e Shqipërisë – Kërcënon me publikim korrespondencash të deputetëve

Grupi aktivist Homeland Justice ka sulmuar korrespondencën e Kuvendit të Shqipërisë, duke pretenduar se disponon të gjitha bisedat dhe mesazhet e deputetëve gjatë muajve të fundit.

Në një postim në Telegram, grupi akuzon institucionet se “strehuan vrasës dhe vrasës fëmijësh” dhe paralajmëron se informacioni që kanë në dorë do të sigurojë që kjo “turp të mbetet përgjithmonë” me ata të përfshirë. “Ne jemi shumë më pranë jush sesa mendoni”, shkruan Homeland Justice, duke nënkuptuar kontroll të gjerë mbi materialet e mbledhura.

Ngjarja ka shkaktuar reagime të menjëhershme: është mbledhur me urgjencë Këshilli i Sigurisë dhe Komiteti i Sigurise Kibernetike për të vlerësuar masat e mbrojtjes dhe për të identifikuar përmasat e sulmit. Autoritetet nuk kanë dhënë ende deklarata zyrtare, ndërsa mbetet e paqartë se sa materiale janë përfshirë dhe cilët deputetë janë prekur.

Ky sulm vjen në një moment të tensionuar politik dhe ngre shqetësime serioze mbi sigurinë kibernetike të institucioneve shtetërore në Shqipëri, duke rikthyer vëmendjen tek rreziqet nga aktorët e jashtëm që synojnë ekspozimin e informacionit të ndjeshëm.