Pjesëmarrja në referendumin për reformën në drejtësi të Italisë ka shënuar nivele historike në ditën e parë të votimit, duke arritur 46,07% deri mbrëmjen e së dielës, sipas të dhënave të Ministrisë së Brendshme. Analistët parashikojnë se pjesëmarrja përfundimtare mund të arrijë deri në 60–65%.
Sekretarja e përgjithshme e Konfederatës Italiane të Sindikatave, Cisl, Daniela Fumarola, e cilësoi këtë nivel pjesëmarrjeje si një shenjë të fillimit të një epoke të re dhe bëri thirrje qytetarëve të ushtrojnë të drejtën e tyre kushtetuese për të votuar.
Kryeministrja Giorgia Meloni publikoi një postim në X ku shihej me fletën e votimit, duke shkruar: “Gati për të votuar. Mos harroni: ka kohë deri në orën 15:00 sot për të shkuar në qendrat e votimit. Pjesëmarrja është e rëndësishme.”
Pjesëmarrja ndryshon nga rajoni në rajon: Emilia-Romagna udhëheq me 53,7%, ndërsa qytete si Napoli dhe Palermo shënojnë nivele më të ulëta, rreth 38%. Reforma synon të ndryshojë Kushtetutën italiane për të ndarë rolin e gjykatësve dhe prokurorëve dhe për të reformuar trupin mbikëqyrës të tyre.
Sipas Melonit, plani është i domosdoshëm për të garantuar paanshmëri dhe funksionim më të mirë të sistemit të drejtësisë, duke e bërë atë më modern, meritokratik, autonom dhe të lirë nga ndikimet politike.
Referendumi shihet gjithashtu si një test politik për qeverinë e saj, me një “Jo” të qartë që mund të konsiderohet si goditje për koalicionin e qëndrueshëm qeverisës që udhëhiqet nga Meloni që nga tetori i vitit 2022. Megjithatë, kryeministrja ka mohuar çdo ide për dorëheqje në rast të një rezultati negativ.









