Ishte në koma prej dy ditësh -Pas Khameneit, vdes edhe gruaja e tij nga plagët e sulmeve SHBA-Izrael

Mansoureh Khojasteh Bagherzadeh, gruaja e ish-udhëheqësit suprem iranian Ali Khamenei, ndërroi jetë pas plagëve të marra gjatë sulmeve ajrore të SHBA-së dhe Izraelit që goditën Teheranin dhe zonat përreth. Ajo kishte qenë në koma që nga fillimi i sulmeve të shtunën, raportoi Iran International.

Mediat shtetërore iraniane konfirmuan se Khojasteh ishte plagosur në të njëjtën valë sulmesh si Khamenei dhe më pas humbi jetën. Raportet tregojnë gjithashtu se disa anëtarë të tjerë të ngushtë të familjes, përfshirë vajzën, dhëndrin dhe mbesën e Khamenei, kanë humbur jetën gjatë këtyre sulmeve.

Ky zhvillim pritet të intensifikojë presionin e brendshëm mbi udhëheqjen e Teheranit dhe të nxisë më tej tensionet në rajon. Autoritetet iraniane kanë paralajmëruar se sulmet ndaj vendit do të marrin përgjigje të fortë.

Mansoureh Khojasteh, 78 vjeç, ishte gruaja e vetme e Khamenei dhe ata u martuan në vitin 1964.