Irani u ka bërë thirrje vendeve të Lindjes së Mesme që të bashkohen në krijimin e një aleance të përbashkët sigurie dhe ushtarake, e cila do të funksiononte pa praninë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Izraelit.
Deklarata u bë nga Ebrahim Zolfaghari, zëdhënës i Shtabit Qendror Khatam al-Anbiya, i cili përmes një mesazhi video iu drejtua vendeve arabe dhe botës islame.
Sipas tij, zhvillimet e fundit në rajon tregojnë hyrjen në një fazë të re përplasjesh, duke akuzuar SHBA-në dhe Izraelin për agresion ndaj Iranit. Ai theksoi se Teherani e sheh veten në vijën e parë të mbrojtjes së vendeve islame.
Zolfaghari bëri thirrje për unitet mes vendeve të rajonit dhe theksoi se siguria nuk duhet të mbështetet tek fuqitë e jashtme, por tek bashkëpunimi i brendshëm dhe vlerat e përbashkëta. Ai nënvizoi se një sistem kolektiv sigurie duhet të ndërtohet mbi baza të përbashkëta kulturore dhe fetare.
Këto deklarata vijnë në një moment përshkallëzimi të tensioneve në Lindjen e Mesme, pas sulmeve të nisura nga SHBA-ja dhe Izraeli ndaj Iranit në fund të shkurtit.
Në përgjigje, Irani ka ndërmarrë sulme të shumta me dronë dhe raketa, duke synuar Izraelin dhe disa vende të Gjirit që strehojnë baza ushtarake amerikane, duke rritur ndjeshëm rrezikun për një përplasje më të gjerë rajonale.









