Irani ka filluar vendosjen e minave detare në Ngushtica e Hormuzit, sipas dy burimeve që kanë njohuri mbi raportimet e inteligjencës amerikane për situatën në rajon. Lajmi është raportuar nga CNN, e cila citon burime sipas të cilave disa dhjetëra mina janë hedhur në ujë gjatë ditëve të fundit.
Sipas raportimeve, Korpusi i Gardës Revolucionare Islamike (IRGC), i cili tashmë kontrollon ngushticën së bashku me marinën iraniane, ka kapacitetin të vendosë mjete të ndryshme luftarake në zonë. Këto përfshijnë mjete detare për vendosjen e minave, anije të mbushura me eksplozivë si dhe bateri raketash të vendosura përgjatë bregdetit.
IRGC kishte paralajmëruar më herët se çdo anije që do të kalonte përmes ngushticës mund të bëhej objekt sulmi. Si pasojë e tensioneve dhe përshkallëzimit të konfliktit, korridori strategjik detar konsiderohet praktikisht i mbyllur që nga fillimi i luftës.
Ndërkohë, zyrtarë amerikanë kanë bërë të ditur se Marina e Shteteve të Bashkuara nuk ka shoqëruar deri tani asnjë anije që kalon nëpër ngushticë. Megjithatë, presidenti Donald Trump deklaroi të hënën se administrata e tij po shqyrton mundësinë e ofrimit të eskortës ushtarake për anijet tregtare që mund të tentojnë të kalojnë përmes kësaj rruge jetike për tregtinë globale të energjisë.









