Një krizë e re e brendshme po trondit Partinë Demokratike në Durrës, pas vendimit për të përjashtuar dy anëtarë të njohur nga grupi i këshilltarëve. Ish-deputeti Ervin Salianji reagoi me forcë, duke e quajtur vendimin “të paimagjinueshëm për vitin 2026” dhe një shfaqje të “depresionit dhe frikës” brenda lidershipit aktual.
Në fokus janë Dritan Burgija, kryetari i grupit të këshilltarëve, dhe Arlind Boshku, sekretari i degës së PD në Durrës, të cilët u përjashtuan nga grupi për shkak të mbështetjes që i kanë dhënë Salianjit dhe vizionit të tij për garë të brendshme. Sipas Salianjit, kjo është një tentativë e qartë e “humbësve” për të eliminuar fituesit që janë zgjedhur me votë dhe për të deformuar procesin demokratik.
“Humbësat përjashtojnë fituesit. Humbësat duan të zgjedhin votuesit e tyre. Ky është deformimi i madh i sjelljes politike që ka sjellë humbja e njëpasnjëshme e opozitës. Në vend që të kthehen tek themeli dhe tek vota për të nisur rrugën e fitores, përjashtojnë demokratët,” tha Salianji, duke shtuar se frika nga gara nuk është lidership.
Ai e cilësoi vendimin si një shenjë të frikës dhe depresionit brenda drejtimit të partisë, duke vënë në dukje se dy këshilltarët u përjashtuan vetëm për faktin se mbështesin idenë e garës dhe të drejtën e demokratëve për të zgjedhur.
Vendimi u firmos nga sekretari i Përgjithshëm i PD, Flamur Noka, dhe përcakton se Burgija dhe Boshku nuk do të përfaqësojnë më PD-në në Këshillin Bashkiak, megjithëse do të mbeten anëtarë të Këshillit në Durrës, por jashtë strukturave të partisë.
Salianji theksoi: “Partia Demokratike nuk është pronë private. Është e demokratëve, dhe demokratët nuk përjashtohen! Ata votojnë, ata zgjedhin!”









