Goditet rëndë SPD – Në Gjermani, CDU triumfon bindshëm, AfD shpërthen në zgjedhjet në Rheinland-Pfalz

CDU ka dalë fituese në zgjedhjet e landit Rheinland-Pfalz, duke i shkaktuar një tjetër goditje të fortë SPD, e cila vijon rënien elektorale pas humbjes së fundit në Baden-Württemberg.

Sipas projeksioneve të mediave ARD dhe ZDF, CDU kryeson me 30.6% të votave, ndërsa SPD renditet e dyta me 25.7%, duke humbur rreth 9 pikë përqindje. Kjo shënon një kthesë historike, pasi socialdemokratët kishin dominuar për 35 vite në këtë land.

Rritjen më të fortë e ka shënuar AfD, e cila ngjitet në vendin e tretë me rreth 20% të votave, duke u konfirmuar si një forcë gjithnjë e më e rëndësishme në skenën politike gjermane.

Ndërkohë, partnerët e koalicionit qeverisës kanë pësuar gjithashtu humbje: Të Gjelbrit bien në 7.9%, ndërsa FDP rrezikon të mbetet jashtë parlamentit. Edhe Partia e Majtë nuk arrin të kalojë pragun elektoral.

Me këto rezultate, vetëm katër parti pritet të hyjnë në parlamentin rajonal. CDU synon të marrë drejtimin e qeverisë me kandidatin Gordon Schnieder, ndërsa një koalicion i madh me SPD-në shihet si skenari më i mundshëm.

Në nivel federal, kjo fitore konsiderohet një sukses për kancelarin Friedrich Merz, ndërsa brenda SPD-së kanë nisur debatet për drejtimin e partisë, me Lars Klingbeil që paralajmëron reflektim pas rezultatit të dobët.